9 Dhjetori:”Korrupsioni po fundos demokracine”Monada Mehmetaj Strasburg

December 9, 2025

Strasburg, 9 dhjetor 2025 Me rastin e Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, e cila shënohet çdo vit më 9 dhjetor, Presidenti i Grupit të Shteteve kundër Korrupsionit (GRECO) të Këshillit të Evropës, David Meyer, ka paralajmëruar se mungesa e një kulture të fortë integriteti dhe e një lufte efektive kundër korrupsionit përbën një kërcënim serioz për demokracinë.
Ai theksoi se korrupsioni shkatërron besimin e qytetarëve në institucionet demokratike dhe minon shtetin e së drejtës, veçanërisht kur krijohet perceptimi i pandëshkueshmërisë dhe kur standardet etike nuk zbatohen në mënyrë të qëndrueshme.
“Sot, në Ditën Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, rikujtojmë se integriteti në jetën publike është themeli i demokracisë. Lufta kundër korrupsionit duhet të jetë e vendosur, gjithëpërfshirëse dhe pa përjashtime, për të garantuar institucione demokratike të qëndrueshme dhe besimin e qytetarëve,” deklaroi Presidenti i GRECO-s.
Sipas tij, demokracia kërkon një kulturë integriteti, transparence dhe përgjegjshmërie, e cila duhet të promovohet nga udhëheqësit politikë, por edhe të mbështetet nga sisteme të forta institucionale, mekanizma efektivë të parandalimit dhe mbikëqyrje të pavarur.
Duke iu referuar gjetjeve të ciklit të pestë të vlerësimit të GRECO-s, ai theksoi se pothuajse të gjitha shtetet e vlerësuara kanë marrë rekomandime për forcimin e politikave kundër korrupsionit, rritjen e transparencës, kontrollin e veprimtarisë së qeverive qendrore, si dhe për deklarimin e pasurisë, interesave dhe detyrimeve financiare.
Një vëmendje e veçantë, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Korrupsionit, i është kushtuar edhe shërbimeve të zbatimit të ligjit, për të cilat GRECO ka rekomanduar masa të qarta për integritetin, rekrutimin, kushtet e shërbimit, si dhe mbrojtjen e sinjalizuesve të parregullsive.
“Nëse integriteti nuk ndërtohet institucionalisht në të gjitha nivelet, lufta kundër korrupsionit mbetet vetëm retorikë,” theksoi Meyer.
Ai shtoi se parandalimi i korrupsionit dhe ndërtimi i institucioneve me integritet që nga fillimi janë elementë kyç të demokracive të qëndrueshme dhe një mesazh i fuqishëm për qytetarët në këtë ditë ndërkombëtare ndërgjegjësimi.
Në përfundim, Presidenti i GRECO-s riafirmoi se, i mbështetur në Paktin e Ri Demokratik për Evropën, GRECO do të vazhdojë të ndihmojë shtetet anëtare në forcimin e kuadrit ligjor dhe institucional për të parandaluar dhe luftuar korrupsionin, duke forcuar besimin e qytetarëve dhe sigurinë demokratike.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *